Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov njoftoi se me armët me precizitet të lartë kanë goditur një depo në Odesa ku fshiheshin raketat “Harpoon” të dërguara nga vendet e NATO-s dhe lëshuesit dhe se në rajonin Donetsk kanë goditur transportuesit e Sistemit Raketor të Artilerisë me Performancë të Lartë HIMARS të prodhimit amerikan, transmeton Kosova Post.
“Rreth 200 ushtarë ukrainas u goditën me sulmin që forcat ajrore ruse kryen me raketa me precizitet të lartë në vendndodhjen e përkohshme të Njësisë së Mekanizuar 92 të ushtrisë ukrainase në qytetin Chuhuiv në rajonin e Kharkivit”, tha Konashenkov i cili shtoi se sulmet e tyre kundër objekteve ushtarake vazhdojnë.
Pasi ndau informacionin se me raketa me precizitet të lartë me rreze të gjatë veprimi të lëshuara nga ajri është shkatërruar një depo që ndodhej në një prej ndërtesave të një ndërmarrjeje industriale në Odessa në të cilën fshiheshin raketat kundër anije “Harpoon” të dërguara në Ukrainë nga vendet e NATO-s, Konashenkov tha se me armë të precizitetit të lartë të lëshuara nga toka është goditur në afrësi të vendbanimit Krasnoarmeysk në rajonin Donetsk, mjeti lëshues dhe transportues i sistemit raketor të artilerisë me performancë të lartë HIMARS të prodhimit amerikan.
Ai potencoi se avionët luftarakë rusë në afërsi të zonës Slavyansk në Donetsk goditën në ajër një helikopter ushtarak Mi-17 të forcave ajrore të Ukrainës dhe se sistemet mbrojtjes ajrore rrëzuan në zonën pranë Kharkivit një avion ushtarak Su-25 të Ukrainës dhe një mjet ajrore pa pilot në afërsi të rajonit Bolshie Prohodi.
“Deri më sot janë rrëzuar 257 avionë, 140 helikopterë, 1.558 mjete ajrore pa pilot ndërsa janë shkatërruar 355 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 4.084 tanke dhe mjete të blinduara, 747 multi-raketahedhëse, 3.151 obusë dhe mortaja si dhe 4.379 mjete ushtarake të veçanta të ushtrisë së Ukrainës”, tha Konashenkov./aa