Rreth 300 civilë ukrainas, kryesisht gazetarë dhe aktivistë publikë, po mbahen në burgjet e improvizuara në Kherson dhe 300 të tjerë në vendbanime të tjera të pushtuara në rajonin e Khersonit, sipas të dërguarit të presidentit ukrainas për Krimenë, Tamila Tasheva.
Tasheva, tha se ka rreth 600 njerëz në rajon që janë pengje dhe po mbahen në bodrume të pajisura posaçërisht si burgje, njoftoi agjencia e lajmeve Interfax.
“Ata mbahen në kushte çnjerëzore dhe torturohen. Dëshmitarët raportojnë klithma që mund të dëgjohen nga vendet, ku qytetarët tanë u nënshtroheshin veprimeve të tilla të paligjshme”, tha ajo në një konferencë shtypi.
Ajo tha se disa civilë po zhvendosen nga rajoni Kherson në Krime dhe po mbahen si “pengje dhe robër lufte”.
“Disa njerëz, që u larguan nga Mariupoli, u ndaluan gjatë filtrimit në kufirin administrativ me Krimenë dhe u dërguan në qendrën e paraburgimit në Simferopol”, shtoi ajo.