Sot ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa do të paraqitet para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Lajmi u bë i ditur javën e kaluar përmes një njoftimi nga Dhomat e Specializuara, ku u tha se konferenca për ecurinë e çështjes do të mbahet me 1 shkurt duke filluar nga ora 11:00.
“Siç është njoftuar në Kalendarin tonë të Gjykatës, Konferenca e radhës për ecurinë e çështjes në çështjen kundër Salih Mustafës do të mbahet më 1 shkurt në orën 11:00”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se gjatë javës së kaluar, gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou, vendosi që t’ia vazhdojë paraburgimin ish-eprorit të UÇK-së Salih Mustafës, duke konsideruar se nëse ai lirohet ka rrezik të arratiset.
Mustafa kishte paraqitur disa kushte për t’u liruar, por ato për Gjykatën Speciale janë të pamjaftueshme.