Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se aktiviteti ushtarak i Rusisë në kufirin lindor të Ukrainës përbën kërcënim për paqen dhe sigurinë evropiane, transmeton Kosova Post.
“Ndodhemi në një situatë shumë serioze”, tha Scholz për gazetën Süddeutsche Zeitung lidhur me tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës.
“Stacionimi i njëqind mijë ushtarëve dhe një numri të madh të pajisjeve ushtarake në kufirin ukrainas nga Rusia nuk mund të injorohet. Nuk ka asnjë shpjegim logjik për këtë. Kjo është kërcënim për paqen dhe sigurinë e Evropës”, shtoi kancelari i Gjermanisë.
Ai tha se mosvënia në dyshim e kufijve është pjesë e “politikës së butë” dhe marrëveshjeve të arritura pas vitit 1990.
“Kjo nënkupton se ju nuk mund t’i ndryshoni kufijtë vetëm pse në disa libra të vjetër ato janë të vizatuar ndryshe. Ajo që duhet zbatuar janë rregullat dhe ligjet, e jo forca ushtarake”, ka deklaruar Scholz.
Scholz po ashtu theksoi se aneksimi i Krimesë ishte një shkelje serioze e Aktit Final të Helsinkit nga Rusia.
“Situata në Ukrainën lindore mbetet e rrezikshme dhe gjithashtu shkelen këto parime. Për Willy Brandt-in dhe Helmut Schmidt-in (ish-kancelarë gjermanë), integriteti territorial dhe e drejta e shteteve për vetëvendosje janë të pandashme”, tha ai.
Olaf Scholz tha se anëtarësimi i vendeve të tjera nga Evropa Lindore në NATO nuk është në agjendë.
Duke iu referuar një deklarate të tij të mëparshme mbi atë se çfarë do të ndodhte nëse Rusia sulmon Ukrainën, kancelari gjerman përsëriti se nëse do të ketë sulm ushtarak kundër Ukrainës, kjo do t’i kushtonte rëndë Rusisë.
I pyetur nëse gazsjellësi “Nord Stream 2”, i cili do të transportojë gazin rus në Gjermani, është brenda fushës së sanksioneve të mundshme kundër Rusisë, Scholz tha:
“Ne do të jemi të mençur në një situatë si kjo, që shpresojmë të mos ndodhë. Çdo gjë që bëjmë i shërben qëllimit për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Ne kemi aktivizuar të gjitha kanalet diplomatike për këtë. Do të ishte e mençur të zgjedhim masat që do të kenë ndikimin më të madh tek ata që shkelin parimet e dakorduara. Njëkohësisht, ne duhet t’i kemi parasysh edhe pasojat që kjo do të shkaktonte ndaj nesh. Askush nuk duhet të ketë iluzionin se kjo është një masë që nuk ka pasoja për ne”./aa