Zyrtarë të Kuvendit të Kosovës, në një takim pune me shoqërinë civile e gazetarë, kanë diskutuar për procesin ligjor dhe hapat drejt konstituimit të Legjislaturës së Kuvendit, transmeton Kosova Post.
Aty janë dhënë detaje rreth procesit ligjor të rrjedhës së seancës së konstituimit të Kuvendit të ri, ndërsa janë diskutuar edhe çështje të tjera procedurale, sikur edhe diskutime se si të veprohet në seancën konstituive, me apo pa prezencën e mediave.
Për shkak të situatës epidemiologjike është vlerësuar se seanca konstituive do të zhvillohet pa prezencën e gazetarëve.
“Për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia Covid-19, seanca konstituive e Kuvendit, nuk do të përcillet nga gazetarët. Kuvendi do të dalë me një njoftim zyrtar, por hë për hë, në plan është përcjella e seancës nëpërmjet një linku i cili do t’i epet RTK-së, e në të do të kenë qasje të gjitha mediat…”, kështu është thënë sot në takimin zyrtarëve të lartë të Kuvendit me gazetarë dhe shoqërinë civile.
Ndryshe, ende nuk dihet se kur do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së re të Kuvendit, pasi ende nuk ka përfunduar afati i ankesave dhe parashtresave.
Por menjëherë pas kalimit të afatit të ankesave dhe parashtresave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë certifikimin e deputetëve, pastaj thirret edhe seanca konstituive. /KosovaPost/