Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro Furxhi, ka pritur në Tiranë homologun e saj nga Kosova, Hajrulla Çeku, në kuadër të vizitës së tij të parë zyrtare si Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
“Kënaqësi e veçantë të mirëprisja në Ministrinë e Arsimit homologun dhe mikun Hajrulla Çeku, në vizitën e tij të parë zyrtare në #Tiranë si Ministër i Arsimit dhe Shkencës i Kosovë, në një moment që merr vlerë simbolike siç është nisja e Olimpiadës së dytë të përbashkët në të gjitha shkollat 9-vjeçare në Shqipëri dhe Kosovë për gjuhën shqipe – identiteti që na bashkon ndër shekuj. Në këtë frymë do të forcohet edhe bashkëpunimi në arsimin parauniversitar dhe arsimin e lartë, teksa finalizojmë projekte të rëndësishme si Seminari i Gjuhës dhe Kulturës Shqipe dhe Festa e Abetares, që këtë vit do të kulmojnë në Kosovë. Me Ministrinë e Arsimit të Kosovës kemi punuar intensivisht për unifikimin e kurrikulave dhe programeve mësimore, si dhe për botimin e teksteve të përbashkëta për diasporën, tashmë të digjitalizuara, të cilat u vijnë në ndihmë nxënësve shqiptarë kudo në botë”, ka shkruar në Facebook ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro Furxhi.


























