Gjithsej 27 avionë të Forcave Ajrore Kineze kanë shkelur zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Tajvanit, transmeton Kosova Post.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit në një deklaratë bëri të ditur se ka dërguar avionët e saj luftarakë në rajon për të paralajmëruar avionët kinezë që të largoheshin nga zona, kurse sistemet raketore u vendosën për të monitoruar zonën.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, në cenimin e zonës së identifikimit të mbrojtjes ajrore kanë marrë pjesë edhe 18 avionë luftarakë dhe pesë bombardues X-6.
Zyrtarët thanë se avionët kinezë u kthyen në Kinë përmes Oqeanit Paqësor pasi shkelën zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore pranë pjesës jugore të ishullit, shkruan AA.
Zona e identifikimit kundërajror të Tajvanit ndodhet jashtë territorit dhe hapësirës ajrore të saj, megjithëse në atë zonë autoritetet e ishullit pretendojnë se kanë të drejtë t’u kërkojnë avionëve që vijnë të identifikohen dhe të shpjegojnë qëllimin për të cilin po vijnë.
Kjo është një zonë dukshëm më e madhe se hapësira ajrore sovrane e Tajvanit, e cila shtrihet 12 milje detare nga bregu i saj.
Pekini pretendon se Tajvani, vendi ishull me 24 milionë banorë, është provinca e saj e shkëputur, ndërsa Taipei këmbëngul për pavarësinë e tij që nga viti 1949 dhe ka marrëdhënie diplomatike me të paktën 15 vende.
Tensionet janë përshkallëzuar kohët e fundit në ngushticën e Tajvanit, ku Kina dërgoi më shumë se 150 fluturime në atë që Tajvani e quan zonën e tij të identifikimit të mbrojtjes ajrore.