Në ditën e njëmbëdhjetë të protestës, protestuesit në komunat veriore të vendit, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kanë filluar të mblidhen edhe sot para ndërtesave komunale.
Në mëngjesin e së hënës, para objektit komunal të Zveçanit janë parë edhe kryetari dhe nënkryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq.
Ata kanë qenë prezentë edhe përgjatë javës së kaluar në protesta.
Nata e së dielës ka kaluar e qetë në tri komunat ku po mbahen protesta.
Për dallim nga herët tjera, gjatë ditës së djeshme në komunën e Zubin-Potokut nuk ka pasur protestues, ndërsa qytetarët serbë kanë festuar “Ditën e përkujtimeve”.
Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave komunale në ruajtje të rendit.
Aktualisht situata e përgjithshme në këto tri komuna paraqitet e qetë.