Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) u bë organizata kryesore udhëheqëse e mbrojtjes së përbashkët me 30 vende anëtare në Evropë dhe Amerikën e Veriut.
Kjo organizatë Veri- Atlantike u themelua 73 vjet më parë me fillimin e Luftës së Ftohtë.
1949: kërcënimi sovjetik
E themeluar më 4 prill 1949 në Uashington, NATO-ja fillimisht kishte 12 shtete themeluese: 10 evropiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë.
Aleanca synonte të luftonte kundër kërcënimit sovjetik dhe bazohej në parimin e solidaritetit të ndërsjellë midis të gjithë anëtarëve të tij, siç përcaktohet në nenin 5: “Palët bien dakord që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre, në Evropë ose në Amerikën e Veriut, do të konsiderohet si një sulm i drejtuar kundër të gjitha palëve”.
Gjatë viteve u bënë pjesë edhe Greqia, Turqia (1952), Gjermania (1955) dhe Spanja (1982).
Kur BRSS-ja u shpërbë, në vitin 1991, një fazë e re po krijohej për Aleancën dhe në maj 1997, NATO-ja dhe Rusia do të nënshkruanin “Aktin Themelues”.
1994: luftimet e para
NATO hapi zjarr për herë të parë më 28 shkurt 1994 duke gjuajtur katër avionë serbë në një zonë të ndaluar fluturimi të OKB-së në Bosnje-Hercegovinë.
Më 16 dhjetor 1995, ajo zhvilloi operacionin e saj të parë në Bosnjë, ku shpërndau 60 000 trupa të forcave të IFOR-it.
Më 24 mars 1999, NATO nisi një fushatë bombardimi ajror për të ndalur shtypjen serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Kjo fushatë 78-ditore, pa mandatin e OKB-së, rezultoi me tërheqjen e serbëve nga provinca, që kaloi nën administrimin e OKB-së, një forcë e NATO-s (KFOR) prej 40.000 trupash të cilët do të ruanin paqen.
Parlamenti i Kosovës shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.
Në vitin 1999, NATO mirëpriti vendet e para të Evropës ish-komuniste: Republikën Çeke, Hungarinë dhe Poloninë.
11 shtator 2001
Në vitin 2001, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi i parë që i drejtohen nenit 5. NATO më pas bashkohet me Uashingtonin në “luftën kundër terrorizmit”.
Si e tillë, në vitin 2003, Aleanca mori udhëheqjen e Forcës Ndërkombëtare të Ndihmës së Sigurisë në Afganistan (ISAF), misioni luftarak i cili do të zgjaste deri në vitin 2014.
Në mars 2004, shtatë vende të Evropës Lindore i bashkohen NATO-s: Sllovakia, Sllovenia, Bullgaria, Rumania dhe tre ish-republikat sovjetike (Lituania, Estonia, Letonia), anëtarësimi e të cilave veçanërisht irritoi Moskën.
Këtyre vendeve u janë bashkuar në 2009 Shqipëria dhe Kroacia. Në vitin 2017, Mali i Zi bëhet anëtari i 29-të, ndërsa një vit më vonë zyrtarisht pjesë e NATO-s bëhet edhe Maqedonia e Veriut si anëtarja e 30-të.
Më 31 mars 2011, NATO mori komandën e ndërhyrjes perëndimore në Libi, e zbatuar nën një mandat të OKB-së në emër të mbrojtjes së civilëve. Operacioni “Unified Protector” prej 7 muajsh çon në përmbysjen e Muamar Gadafit.