Spanja, Brazili, Japonia dhe Meksika janë 4 skuadrat gjysmëfinaliste të futbollit të meshkujve, në Olimpiadën Tokyo 2020.
Spanja që është edhe favoritja kryesore për medaljen e artë në Lojrat Olimpike për pak sa nuk u eliminua nga Bregu i Fildishtë i Franck Kessie në çerekfinale. La Roja triumfoi pas kohës shtesë me rezultatin 5-2 ndaj përfaqësueses afrikane në një sfidë ku shpëtoi vetëm në fund.
Në pjesën e parë Dani Olmo iu përgjigj golit të Eric Bailly me këtë fraksion loje që u mbyll në barazim 1-1. Por në minutën e 90-të Max Gradel u duk sikur i dha kualifikimin Spanjës megjithatë nuk mendoi kështu Rafa Mir që shënoi në të 93-ën duke e çuar ndeshjen në shtesë.
Në 30 minutat e shtesës Spanja asfaltoi Bregun e Fildishtë me 3 gola të tjera nga Mikel Oyarzabal dhe Rafa Mir që realizoi edhe dy herë të tjera duke kompletuar tripletën personale. 5-2 për La Rojan që në gjysmëfinale do të përballet me Japoninë që eliminoi pas goditjes së penalltive Zelandën e Re.
Nuk e pati të lehtë as Brazili që Egjipitin e kaloi me rezultatin minimal 1-0 me një gol të Cunhas. Spektakël dhuroi edhe Meksika që do të jetë kundërshtari i radhës për Brazilin teksa eliminoi me shifrat 6-3 Korenë e Jugut, falë edhe një dygolëshi të Cordovas./SS