Policia e Kosovës ka njoftuar se është suspenduar një polic me kombësi boshnjake pasi kishte fyer dhe nxitur urrejtje kundër shqiptarëve.
Ai kishte shkuar te një mik i tij, i cili ka publikuar një fotograi në rrjete sociale me përmbajtje kundër shqiptarëve.
“Isha i nderuar të vizitojë këtë mik të madh, shefin në Dobrushë i cili u bëri ballë terroreve shqiptare. E mëshiroftë Zoti”, kishte shkruar shoku i policit.
Policia e Kosovës thotë se pas pranimit të informacioneve lidhur me shkrimet e publikuara në rrjete sociale nga zyrtari policor (S. C.) me detyrë në pikën kufitare “Kullë”, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme duke e suspenduar.
“Suspendimi i tij është mbështetur në Udhëzimit Administrativ Nr.04/19, për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës”, thotë policia.
Pas masës së suspendimit Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare ka njoftuar Inspektoratin Policor dhe Prokurorinë kompetente, të cilët janë duke e intervistuar zyrtarin policor, për të vazhduar me procedura të mëtejme.