Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se nga data 4 tetor, secilës tabel të automjeteve të Serbisë do t’i mbulohet shenja shtetërore, përcjell KosovaPost.
Sveçla përmes një postimi në Facebook, tha se nuk ka tabela më të mira ose më të këqija të Serbisë.
“Nga 4 tetori, çdo tabele automjeti të Serbisë ne ia mbulojmë shenjën shtetërore. Nuk na interesojnë të tjerat aty. Nuk ka tabela pak më të mira e aso pak më të këqija të Serbisë. Republika e Serbisë nuk po e njeh Republikën e Kosovës. As Republika e Kosovës nuk e njeh Republikën e Serbisë. Pra, nevojitet njohje reciproke”, thekson ministri Sveçla.
Po ashtu, ministri ka bërë të ditur edhe numrin e targave të përkohshme që janë lëshuar nëpër të gjitha pikat kufitare nga 20 shtatori.
“Që nga data 20 shtator është duke u zbatuar vendimi për pajisje me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë, e që hyjnë në Kosovë nga të gjitha pikat kufitare. Mbi 12.100 targa janë lëshuar qysh atëherë, dhe asnjë incident nuk ka ndodhur”, shkruan Sveçla.
Postimi i plotë:
Që nga data 20 shtator është duke u zbatuar vendimi për pajisje me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë, e që hyjnë në Kosovë nga të gjitha pikat kufitare. Mbi 12.100 targa janë lëshuar qysh atëherë, dhe asnjë incident nuk ka ndodhur.
Sot është arritur marrëveshja në Bruksel për zbatim të përkohshëm të sistemit të afisheve ngjitëse në targat e automjeteve. Me datën 2 tetor do të largohen barrikadat që janë vendosur jashtëligjshëm e që kanë bllokuar lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë tash e 11 ditë. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, e cila që nga dita e parë ka ruajtur rendin dhe sigurinë në vend, më nuk do të ketë nevojë të qëndrojë aty.
Nga 4 tetori, çdo tabele automjeti të Serbisë ne ia mbulojmë shenjën shtetërore. Nuk na interesojnë të tjerat aty. Nuk ka tabela pak më të mira e aso pak më të këqija të Serbisë. Republika e Serbisë nuk po e njeh Republikën e Kosovës. As Republika e Kosovës nuk e njeh Republikën e Serbisë. Pra, nevojitet njohje reciproke.
Si Ministër i Punëve të Brendshme, e falënderoj çdo pjesëtar të Policisë së Kosovës për punën e palodhshme dhe profesionalizmin shembullor që kanë treguar. Ata më së miri kanë përfaqësuar shtetin tonë dhe vlerat e një shoqërie që ne duam dhe synojmë: e barabartë, e drejtë dhe demokratike.
Edhe reciprociteti i arritur sot derivon nga këto vlera, prandaj ne do ta vazhdojmë atë.