KFF Mitrovica është shpallur kampion në Sigal Superligën e Kosovës në konkurrencën e femrave.
Ceremonia e dekorimit të kampionit u organizua nga Federata e Futbollit e Kosovës pas ndeshjes së javës së 20-të, ndërmjet Mitrovicës dhe Llapit, e cila u mbyll me fitoren bindëse të mitrovicasve, me rezultat 8:0.
Trofeun për kapitenen Kaltrina Biqkaj e ndau presidenti Agim Ademi, derisa medaljet i ndanë Vjollca Krasniqi, Xhelal Broja e Ismajl Ajeti, anëtarë të KE të FFK-së, Përparim Drini drejtor gjeneral i Sigalit në Kosovë, Vesa Broja, kryesuese e Asamblesë komunale në Mitrovicë dhe drejtori për sport në këtë komunë, Fahri Jashari.
Të pranishëm në ceremoninë e shpalljes së kampionit ishin edhe personalitete të shquara të futbollit mitrovicas, si Ajet Shosholli, Rafet Prekazi e Gani Sejdiu.
Për KFF Mitrovicën ky është titulli i pestë i kampionit. Presidenti Ademi ka uruar klubin mitrovicas për këtë sukses.


























