Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se duhet të ngritet kallëzim penal ndaj deputetëve që janë për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ai ka thënë se deputetët po bëjnë keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Ajo çka më shqetëson është që deputetët me vetëdije të plotë bëjnë keqpërdorim të detyrës zyrtare. Zyrtarët e kësaj agjencie të cilët po vendosen për shkarkim duhet të nisin kallëzim penal ndaj këtyre deputetëve”, tha ai.
Tahiri ka shtuar se deputetët po bëjnë vepër penale.
“Sepse të jesh deputet i Kuvendit nuk do të thotë që ke mundësi të abuzosh me detyrën e deputetit. Këta deputet janë sponzorizues të kësaj iniciative, ata po bëjnë vepër të pastër penale, duke propozuar shkarkimin e këtyre anëtarëve pa pasë bazë ligjore”, ka thënë Tahiri.