Shkruan: Kim Mehmeti
“Dhe përderisa ‘properëndimorët’ tanë e dëshmojnë vetveten nëpërmjet mbështetjes të parezervë të krimeve izraelite mbi palestinezët, profesori amerikano-hebre, Norman Finkelstein pohon se Izraeli kryen krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si dhe, një nga gazetat më të mëdha izraelite, ‘Haaretz’ mban qëndrim kundër ndërhyrjes së Izraelit në Jerusalemin Lindor duke e cilësuar pushtuese dhe jo të drejtë shpërnguljen e palestinezëve.
Të atillë janë ‘izraelitët’ shqiptarë, ata e mbrojnë Izraelin edhe nga hebrenjtë dhe harrojnë se regjimi i këtij shteti nuk varet as nga ne që e kritikojmë terrorin shtetëror mbi palestinezët, as nga ata qe e arsyetojnë atë, por nga zëri i personaliteteve dhe qarqeve hebre që e dinë se ditën kur në ty vdes ndjeshmëria ndaj tjetrit, atëherë nuk të ka mbetur më asgjë e vlefshme që të ta mbajë drejtë boshtin tënd njerëzor.
Dhe kurrë nuk duhet harruar se portretin kolektiv të një populli, pra edhe të atij hebre, nuk mund ta njollosin kritikët e huaj të terrorit shtetëror izraelit mbi palestinezët, por heshtja e personaliteteve hebre, heshtja që e ndotë portretin kolektiv të këtij populli.
Sepse, për shembull, ata si Natasha Kandiq dhe Sonja Bisereko …, që dikur mbronin viktimat e regjimit të Millosheviqit, me atë nuk u rreshtuan kundër popullit të vet, por flijuan çdo interes personal për ta mirëmbajtur dimensionin njerëzor të etnisë të cilës i takonin.”