Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime.
Më poshtë gjeni të gjitha vendimet e marra nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 208-të.
Qeveria ka miratuar projektligjin për Menaxhimin e Resurseve Ujore. Me këtë Projektligj rregullohet statusi juridik i ujërave, tokës ujore dhe objekteve ujore si dhe përcaktohen rregullat për menaxhimin e cilësisë dhe sasisë së resurseve ujore, për shfrytëzimin dhe shpërndarjen e resurseve ujore, për mbrojtjen e resurseve ujore, dhe për mbrojtjen nga veprimet e dëmshme të ujërave.
Gjithashtu ka aprovuar Projekt-rregulloren për Përcaktimin e Procedurave Efektive për Identifikimin, Raportimin dhe Referimin ndaj Shfrytëzimit, Neglizhimit dhe Abuzimit të Fëmijës si dhe për Mbrojtjen e Fëmijës në Situatë Rruge. Ajo trajton procedurën dhe përgjegjësitë dhe rolin e institucioneve relevante në luftimin dhe parandalimin e dukurive negative të cilat ndikojnë në mirëqenien e fëmijëve. Rregulloja është akti i gjashtë nënligjor dhe me miratimin e saj Ministria e Drejtësisë kompleton të gjithë infrastrukturën e akteve nënligjore që derivojnë nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës”
Plotësuar dhe ndryshuar vendimin e mëhershëm për emërimin e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës. Sipas këtij plotësim-ndryshimi, Dr. Naim Bardiqi, nga Ministria e Shëndetësisë zëvendësohet me Dr. Besa Balidemaj, kurse Dr. Besim Demolli, Spitali i Përgjithshëm Ferizaj zëvendësohet me Dr. Ismet Ramadanin nga Spitali i Përgjithshëm Gjilan, në bazë të rotacionit dhe përmbushjes së indikatorëve të kualitetit të shërbimeve shëndetësore.
– Aprovuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të parcelave nr. 1504-16 dhe 1504-17 dhe objektit të ish- pronës shoqërore “Pallati i Shtypit”, për nevoja të Depos Qendrore të Barnave dhe akomodim të administratës së Ministrisë së Shëndetësisë. Me këtë vendim po hedhet një prej hapave të parë që pas shumë dekadave të ndërtohet një depo moderne për ruajtjen e barnave sipas standardeve.
– Miratuar Strategjinë e Republikës së Kosovës për Drejtësi Tranzicionale 2024-2034. Përmes saj do të vendoset një kornizë gjithpërfshirëse për adresimin e së kaluarës së dhimbshme të luftës në Kosovë. Ky dokument bazohet në qasjen e përqendruar te viktima, ndjeshmërinë gjinore dhe pajtueshmërinë me normat dhe standardet ndërkombëtare, pos tjerash. Strategjia synon t’i adresojë krimet e tmerrshme të kryera nga ish-Jugosllavia dhe Serbia gjatë luftës në Kosovë, si dhe nevojat e grupeve të viktimave të atyre krimeve. Kjo është hera e parë që vendi ynë po e miraton një dokument të tillë.
– Miratuar Planin e Veprimit 2024-2025 të Strategjisë për Migrim, me të cilin do të bëhet avancimi i politikave shtetërore dhe përcaktimi i qartë i detyrave dhe përgjegjësive, si dhe masave e aktiviteteve të institucioneve dhe subjekteve përgjegjëse, në fushën e menaxhimit të migrimit.
– Aprovuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministrit të Mbrojtjes për nënshkrimin e Marrëveshjes për Statusin e Forcave (SOFA) ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë Hashemite të Jordanisë. Kjo marrëveshje rregullon procedurat e hyrjes, largimit dhe qëndrimit të përkohshëm të forcave të të dy vendeve bazuar në legjislacionin e dy shteteve.
– Aprovuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes për Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Punësimit dhe Inovacionit Social të Fondit Social Evropian Plus. Kjo marrëveshje rregullon kushtet për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e organizuara nga Unioni Evropian.
– Miratuar nismën për aplikimin për ndryshim të statusit të Republikës së Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë (ONF), nga anëtar i asociuar në anëtar me të drejta të plota. Kërkesa e Republikës së Kosovës për ndryshimin e statusit të saj në ONF ka për bazë interesin dhe vullnetin e saj politik për të zhvilluar më tej bashkëpunimin me ONF-në, dhe me vende tjera të hapësirës frankofone, si dhe integrimin e mëtejshëm dhe tërësishëm të saj në arenën ndërkombëtare. Janë bërë tashmë dhjetë (10) vjet prej pranimit të Kosovës si anëtare vëzhguese e Frankofonisë (Dakar, 2014) dhe gjashtë (6) vjet prej avancimit si anëtare e asociuar (Erevan, 2018). Republika e Kosovës ka zhvilluar aktivitete dhe projekte të ndryshme, duke dëshmuar se është e gatshme për të thelluar më tej bashkëpunimin me ONF-në.
– Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për Projektin “Fondi i Mirëbesimit me një Donator të Vetëm për Programin e Nxitjes dhe Levimit të Mundësive për Sigurinë e Ujit”. Ky projekt ka të bëjë me forcimin e kapacitetit kombëtar për menaxhimin e masave për sigurinë e ujit me anë te investimeve katalitike.
– Ndarë 142 mijë euro për Samitin e Ballkanit Perëndimor në Prishtinë të organizuar nga “The Economist”. Kjo ngjarje kontribuon në rritjen e imazhit ndërkombëtar të vendit tonë, duke theksuar përparimet tona në fusha të ndryshme dhe duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe investime.
– Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për bashkëpunim në Fushën e Sigurisë. Me këtë marrëveshje synojmë të rrisim fuqizimin e bashkëpunimit në mes të dy shteteve, në parandalimin e kërcënimeve ndaj sigurisë publike dhe luftimin e të gjitha formave të krimit, veçanërisht duke shkëmbyer informacione në nivelet strategjike dhe operative, dhe duke mbajtur kontakte të rregullta me autoritetet kompetente.
– Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Suedisë për Transport Rrugor Ndërkombëtar të Udhëtarëve dhe Mallrave. Kjo Marrëveshje rregullon transportin rrugor ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve, si transportin bilateral, transit dhe vendet e treta. Ky lloj bashkëpunimi ka për qëllim avancimin e marrëdhënieve ekonomike, duke pasur parasysh mbrojtjen e mjedisit, shfrytëzimin racional të energjisë, shtimin e sigurisë në komunikacionin rrugor, dhe lëvizjen e lirë të udhëtarëve e mallrave ndërmjet dy vendeve.
– Miratuar nismës për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Finlandës për Transport Rrugor Ndërkombëtar të Udhëtarëve dhe Mallrave. Kjo marrëveshje do të mundësojë qasjen e operatorëve tanë rezidentë, duke krijuar kushte të përshtatshme për të hyrë në tregun evropian të transportit ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave. Gjithashtu kontribuon në avancimin e marrëdhënieve tregtare dypalëshe, me synim rritjen e bilancit ekonomik në tregtinë e mallrave ndërmjet dy vendeve.
– Miratuar Planin Vjetor të Statistikave Zyrtare për vitin 2025. Objektivat e përfshira në Planin Vjetor të Punës për vitin 2025, burojnë nga programi pesëvjeçar i Statistikave Zyrtare, realizimi i të cilave është i mbështetur në premisën paraprake, të shfrytëzimit më të mirë të burimeve njerëzore dhe financiare duke rritur efikasitetin organizativ dhe prodhues.
– Emëruar Ilir Muçajn për Sekretar të Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
– Miratuar vendimin për zbatimin nga Republika e Kosovës të vendimeve të Këshillit të Bashkimit Evropian për vendosje të masave kufizuese ndaj Iranit.
– Plotësuar vendimin e Qeverisë Nr. 01/64, të datës 25.02.2022 “Për zbatimin nga Republika e Kosovës të vendimeve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për vendosje të sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, në raport me situatën në Ukrainë”.
– Miratuar vendimin për zbatimin nga Republika e Kosovës të vendimeve të Këshillit të Bashkimit Evropian, për vendosje të masave kufizuese lidhur me shkeljen serioze dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut, në Federatën ruse.
– Themeluar Grupin Redaktues në përbërje të z. Bislim Elshani, autor, dhe z.Gent Carrabregu, studiues, për trajtimin e veprave të botuara dhe dorëshkrimeve të pa botuara të prof. Ukshin Hoti.
– Ndarë tre milionë euro për zbatimin e Masës 2.2 “Mbështetja e Bizneseve për Qasje në Financa” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Qëllimi i kësaj ndarje është që në bashkëpunim me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore të krijohet një dritare e re që do të mundëson garantimin e kredive të bizneseve që hapen nga bashkatdhetarët tanë. Kjo me synim që të mbështesë bashkatdhetarët që kanë biznese në diasporë që të kthehen dhe të investojnë në vend, dhe përmes kësaj dritare të garantohet kredia që merret për të investuar në vend.
– Ndarë tre milionë euro për zbatimin e Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, që parasheh mbulimin e Policës Kufitare për bashkatdhetarët që vijnë në Republikën e Kosovës dhe përgjatë kohës sa qëndrojnë këtu. Synimi është që të lidhet marrëveshje ndërmjet Bankës Qendrore, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit për të siguruar mbulimin e Policës Kufitare, në mënyrë që të mundësohet kalimi sa më i lehtë i pikave kufitare.
– Themeluar Parkun Industrial dhe Teknologjik, me emërtimin “Park i Përgjithshëm në Komunën e Drenasit. Parku i Përgjithshëm është i një rëndësie të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik të vendit, ka një sipërfaqe prej 36.50 hektarësh, dhe parasheh vendosje deri në 50 biznese, kryesisht me veprimtari prodhuese dhe përpunuese.