Testi i drogës na radhët e policisë së shtetit ka zbuluar deri tani 45 efektiva përdorues ndërsa njëri prej tyre është përjashtuar.
Drejtoria e përgjithshme e policisë bëri të ditur se nga nëntori deri tani analizave i janë nënshtruar 1736 efektiva të klasifikuar me risk të lartë. Për ata punonjës që kanë rezultuar pozitivë në testin e parë do të zhvillohet edhe një test i dytë dhe hetim administrative para përjashtimit.
Një numër prej 45 efektivash të policisë së shtetit kanë rezultuar pozitivë deri tani në testin për përdorimin e lëndëve narkotike.
Në një njoftim zyrtar, drejtoria e përgjithshme e policisë tha se deri tani janë ekzaminuar 1736 punonjës, kryesisht nga sektorë dhe mosha me risk, nga të cilët 45 kanë rezultuar të dyshuar pozitivë.
Testimet nisën në datën 15 nëntor 2021 pas një urdhri të drejtorit të përgjithshëm të policisë Gledis Nano me qëllim rritjen e standardeve dhe integritetit personal të punonjësve të rendit.
Burimet zyrtare bënë të ditur se për 45 efektivat që kanë rezultuar pozitivë në testin e parë të kryer pranë laboratorit privat të kontraktuar, po kryhen hetime administrative nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.
Deri në këtë fazë të testimit, policia tha se është përjashtuar 1 punonjës policie, duke analizuar edhe rrethanat e tjera të cilat vërtetojnë shkeljen e rëndë disiplinore.
Ndërkohë në vijim të hetimit administrativ, për kategorinë e të dyshuarve pozitivë, do të zhvillohet një test i dytë, për t’u siguruar nëse janë përdorues të lëndëve narkotike.
Kreu I policisë Gledis Nano ka sqaruar më herët se pas testimit të parë, për ata efektiva që rezultojnë pozitivë, do të ketë edhe një analizë të dytë rezultati i të cilës do të ballafaqohet edhe me të dhënat e tjera nga hetimi i standardeve profesionale para se të zyrtarizohet përjashtimi nga radhët e uniformave blu./oranews.