Si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, Turqia ka vendosur orë policore që do të zgjasë pandërprerë për tri ditë e katër net. Ora policore do të fillojë të enjten në mbrëmje dhe do të mbarojë të hënën në mëngjes, transmeton Kosova Post.
Më saktësisht, ora policore do të fillojë nga ora 19 e 22 prillit dhe do të zgjasë deri në orën 5 të mëngjesit më 26 prill. Gjatë kësaj periudhe në Turqi janë dy festa.
Për ta parandaluar përhapjen e virusit, nuk do të lejohen tubime të mëdha për ta shënuar Ditën Kombëtare, përpos një ceremonie zyrtare.
Pas shtimit të rasteve dhe viktimave, duke filluar nga java e kaluar, autoritetet turke kanë marrë masa shtesë për dy javët e para të muajit të Ramazanit.
Kafenetë dhe restorantet do të kenë të drejtë vetëm të shesin ushqim, por jo t’i shërbejnë klientët brenda lokaleve, ndërsa sallat e dasmave, qendrat sportive dhe sallat për lojëra do të jenë të mbyllura deri në fund të Ramazanit. (AA)