Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, tha se Rusia dëshiron të ndryshojë arkitekturën e sigurisë dhe rendin politik të Evropës dhe theksoi se vendet e BE-së duhet të veprojë në unitet kundër kësaj, transmeton Kosova Post.
Në një shkrim në blog, Borrell vlerësoi tensionin në rritje pas fortifikimit ushtarak që Rusia ka bërë në kufirin me Ukrainën dhe propozimet e Moskës për SHBA-në dhe NATO-n për garancitë e sigurisë, të cilat kanë të bëjnë edhe me arkitekturën e sigurisë në Evropë.
BE duhet të punojë së bashku me NATO-n dhe SHBA-në, nënvizoi Borrell duke bërë vlerësimin se “BE-ja aktualisht duhet të përcaktojë se çfarë duhet të bëjë për të mbrojtur rendin e sigurisë së Evropës dhe parimet që mbështesin këtë”.
Borrell tha se këto çështje do të diskutohen në takimin e ministrave të mbrojtjes të BE-së dhe në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së i cili do të mbahet në një formatin jo zyrtar në qytetin Brest të Francës këtë javë.
“Para këtyre takimeve dy gjëra janë goxha të qarta. Si BE duhet të përcaktohet një qëndrim në unitet, duhet të provohet vërtetësia e rolit tonë dhe kjo duhet të mbështetet me veprime konkrete”, ka theksuar Borrell.
BE-ja së bashku me NATO-n dhe OSBE-në janë aktorë kyç në sigurinë e Evropës, deklaroi Borrell duke shtuar se “Këtë krizë të përjetuar me Rusinë duhet ta kthejmë në një mundësi për të forcuar unitetin dhe vendosmërinë tonë dhe për të mbrojtur interesat tona të sigurisë dhe interesat e kontinentit”.
Borrell vuri në dukje se Rusia dëshiron që të ndryshojë rendin politik dhe rendin e sigurisë që u shfaq pas Luftës së Ftohtë. Ai theksoi se të gjitha vendet, përfshirë edhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik kanë të drejtë të përcaktojnë aleancat në të cilat do të bashkohen dhe të përcaktojnë rrugën e tyre.
Borrell nënvizoi se këtu përfshihen jo vetëm vendet e ish-Bashkimit Sovjetik si Ukraina, Gjeorgjia ose Moldavia, por edhe Suedia dhe Finlanda të cilat janë ende anëtare të BE-së.
Propozimet e Rusisë për garancitë e sigurisë
Rusia në propozimet e saj për marrëveshje për garancitë e sigurisë që i përcolli SHBA-së dhe NATO-s, kërkon një angazhim nga SHBA-ja që NATO të heqë dorë nga zgjerimi i saj drejt lindjes dhe përfshirjen e vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik në NATO.
Në tekstet e draft-marrëveshjes përfshihen gjithashtu edhe kërkesat që SHBA-ja të mos formojë baza ushtarake në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në vendet jo anëtare të NATO-s, të mos përdorë infrastrukturën e këtyre vendeve për kryerjen e ndonjë aktiviteti ushtarak dhe që të mos kryejë bashkëpunim ushtarak me këto vende.
Në propozimin e Rusisë ndodhen edhe pikat për mos vendosjen e armëve bërthamore jashtë territorit kombëtar të secilit vend dhe për tërheqjen e armëve të tilla që janë vendosur jashtë territorit kombëtar.
Pas fortifikimit ushtarak që ushtria ruse ka kryer muajt e fundit në kufirin e Ukrainës, tensionet mes NATO-s dhe Rusisë u rritën dhe marrëdhëniet ranë në nivelin më të ulët pas Luftës së Ftohtë.