Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Presidentin e ri të Izraelit, Isaac Herzog, me të cilin kanë biseduar edhe për dialogun dhe njohjen e Kosovës, transmeton Kosova Post.
Me këtë rast, shkruan Danas, Vuçiq ka thënë se njohja e Kosovës nga Izraeli ishte zhgënjyese për Serbinë dhe qytetarët e saj, po në të njëjtën kohë Vuçiq ka shprehur dëshirën që Serbia të përmirësojë marrëdhëniet dypalëshe me udhëheqjen e re të Izraelit, të cilën ai e uroi sukses në punën e tij.
Tutje bëhet e ditur se Vuçiq tha se ai e konsideron shumë të rëndësishme që Serbia dhe Izraeli, përmes bashkëpunimit, të kontribuojnë në zgjidhjen politike dhe paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve, konflikteve dhe çështjeve të hapura, dhe shtoi se biseda e sotme me Herzog do të kontribuojë në mirëkuptim më të mirë midis dy vendeve.
Vuçiq, shpreson se Presidenti Herzog dhe Izraeli do të vazhdojnë të mbështesin dialogun Kosovë-Serbi.