Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksander Vulin, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte “një kërcënim I drejtpërdrejt” me konflikt të armatosur ndaj Serbisë.
Ai theksoi se në këtë mënyrë do të shkelej Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por edhe vetë statutin e Aleancës.
“Dëshironi ta bëni Kosovën anëtare të NATO-s pa e përmbushë asnjë standard, e rrugëtimi për anëtarësim në NATO është shumë më i komplikuar se rrugëtimi për anëtarësim në BE. Nëse kapërcehen të gjitha këto procedura, atëherë ata vetëm po i përgatitni me qëllim që të ju jepni një mundësi për të sulmuar serbët, që të provokojnë shtetin e Serbisë deri në kufi, me qëllim që Serbia të mos jetë në gjendje të kundërpërgjigjet”, tha Vulin.
Ai shtoi se “ata më pas do të argumentonin se në bazë të nenit 5 të NATO-s, shteti anëtar duhet të mbrohet, e më pas të bombardohet Serbia”. Sipas Vulinit, “nuk ekziston asnjë arsye tjetër pos kësaj për të anëtarësuar Kosovën në NATO”.