Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar sportistët kosovarë që do ta përfaqësojnë vendin në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, të cilat do të mbahen në Itali nga 21 gushti deri më 3 shtator, përcjell KosovaPost.
Kurti ka bërë të ditur se Kosovën do ta përfaqësojnë 163 sportistë, prej tyre 87 djem dhe 76 vajza, në gjithsej 21 sporte. Bëhet fjalë për delegacionin më të madh të Kosovës në historinë e pjesëmarrjes së saj në Lojërat Mesdhetare.
“Sportistët tanë kanë dëshmuar se, pavarësisht përmasës së vendit, mund të kemi rezultate të mëdha. Në garat më të rëndësishme ndërkombëtare, ata kanë bërë që emri i Kosovës të dëgjohet, flamuri shtetëror të valëvitet dhe himni të intonohet me krenari”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë ta shohë sportin si investim në njerëz, në shëndetin e shoqërisë, zhvillimin e të rinjve dhe në imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
“Shumë suksese për ambasadorët tanë në Taranto nga 21 gushti deri më 3 shtator 2026! Ju uroj kthim me krenari, me përvoja të reja dhe, pse jo, me sa më shumë medalje!”, ka shkruar Kurti.
Kosova në këtë edicion do të garojë për herë të parë në katër sporte ekipore: futboll, volejboll, hendboll dhe basketboll 3×3.


























