Shtesat për fëmijë vazhdojnë të jenë skema sociale me numrin më të madh të përfituesve në Kosovë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë muajit maj 2026 nga kjo skemë kanë përfituar 405 mijë e 935 persona, ndërsa vlera e mjeteve të shpërndara ka arritur në mbi 14.7 milionë euro.
Statistikat e mirëqenies sociale, të publikuara më 22 qershor, tregojnë se pensionet bazike të moshës vazhdojnë të jenë kategoria me shpenzimet më të larta.
Gjatë muajit maj, 166 mijë e 985 pensionistë kanë përfituar nga kjo skemë, për të cilën janë ndarë afro 26.9 milionë euro.
Ndërkohë, pensionet kontributpaguese të moshës janë përfituar nga 48 mijë e 1 persona, me një vlerë prej rreth 12 milionë eurosh.
Një numër i konsiderueshëm përfituesish është regjistruar edhe te pensionet e veteranëve, ku 39 mijë e 417 persona kanë marrë mbështetje financiare në vlerë prej rreth 8 milionë eurosh.
Sipas ASK-së, nga pensionet për personat me aftësi të kufizuara kanë përfituar 21 mijë e 532 persona, ndërsa për këtë kategori janë shpenzuar më shumë se 3.5 milionë euro.
Në të njëjtën periudhë, 2 mijë e 375 persona kanë përfituar pensione familjare, ndërsa 3 mijë e 594 persona kanë marrë pensione për paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
Të dhënat e muajit maj tregojnë vazhdimin e mbështetjes së gjerë sociale në Kosovë, me fokus të veçantë te familjet me fëmijë dhe pensionistët, të cilët përbëjnë grupet kryesore përfituese nga skemat sociale të shtetit.


























