Në Bosnje-Hercegovinë, kreu i serbëve boshjakë, Milorad Dodik po e sfidon gjithnjë e më shumë bashkësinë ndërkombëtare dhe kërcënon të Ngarkuarin e Lartë të OKB-së në Bosnje, Christian Schmidt me arrestim.
Dukej si një duel: “Ju nuk jeni Përfaqësuesi i Lartë”, i shkroi Milorad Dodik, presidenti i Republikës Srpska, Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së për Bosnje-Hercegovninën, Christian Schmidt të enjten në një letër të hapur. “Ju nuk përfaqësoni bashkësinë ndërkombëtare në Bosnje-Hercegovinë.” Në rast se Schmidt do të udhëtonte nga kryeqyteti Sarajevë për në Banja-Luka, kryeqytetin e Republikës Srpska, Dodik kishte edhe një kërcënim të hapur: Ai duhet të priste “arrestimin ose dëbimin”. Një dekret përkatës është “duke u përgatitur”.
Qëkur 66-vjeçari Christian Schmidt, një kohë ministër i Bujqësisë nën Angela Merkelin, e mori postin para dy vjetësh politikisht janë lëvizur shumë gurë në vendin e vogël ballkanik me 3,5 milionë banorë. Nga tre liderët e fuqishëm dhe të korruptuar të partivë kombëtare të boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve ka mbetur vetëm njëri – Milorad Dodik. Me dekrete të rrepta të mbështetura nga Berlini dhe Uashingtoni, Schmidt ia doli të vendoste zgjedhjet e bllokuara prej vitesh.
Rezultati: Partia boshnjake, “Partia e Aksionit Demokratik,nën Bakir Izetbegovic, djalin e presidentit të njohur në kohën e luftës, Alija, nuk është më pjesë e qeverisë. Partia përkatëse kroate e Dragan Covic, i akuzuar për korrupsion tre herë dhe që ia doli të shpëtojë në minutën e fundit, nuk ka më rëndësi politike. “Federata”, të cilën 50% e boshnjakëve e ndajnë me 15% të kroatëve ka pas katër vitesh bllokadë sërish institucione funksionuese.
Gjestet kërcënuese specialitet i njohur
Ashtu si mendohej, Milorad Dodik, po del si njeriu më i vështirë. Pas kërcënimit të Përfaqësuesit të Lartë me arrestim, Schmidt hoqi dorë nga udhëtimi dhe e komentoi me fjalët. Jemi “në Ballkan”, kur jo çdo fjalë “vihet në peshoren e artë”. Dodik u tërhoq dhe në fund u tha se policia e Republikës Srpska nuk mund të garantojë sigurinë e tij. Gjestet kërcënuese janë specialitet i 66-vjeçarit Dodik. Prej vitesh ai flet për një referendum, në të cilën serbët boshnjakë do të vendosin për ndarjen nga Bosnja. Deri tani ai nuk është zhvilluar.
Realisht Dodik nuk i ka edhe aq të mira letrat që ka në dorë. Nga Serbia fqinje vijnë vetëm verbalisht tone mbështetëse. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq përpiqet me vendin e tij të ruajë balancën mes BE dhe Serbisë, gjë që pas pushtimit rus të Ukrainës është bërë më e vështirë. Edhe nga ana ekonomike, situata në Republikën Srpska nuk është më e mira. Rusia, tek e cila mbështetet Dodik nuk ka se ç’ofron më shumë. Gjermania për shkak të grindjes së fundit ka anuluar projekte infrastrukturore në vlerë 105 milionë euro.
Edhe në politikën e brendshme, Dodik nuk është aq i pacënueshëm siç beson. Një ligj kundër “shpifjes” me të cilën ai do të kufizojë mediat ka shkaktuar protesta. Qëkur Bosnje-Hercegovina vitin e kaluar u bë kandidate për në BE ai nuk merr më aq pikë me mbështetjen e tij për Rusinë. Rinia në vend largohet masivisht në drejtim të BE, jo Rusisë. Edhe ardhja e Christian Schmidt ishte dështim për Dodikun. Schmidt u zgjodh nga Këshilli i Implementimit të Paqes, Peace Implementation Council PIC, ndryshe nga rastet e mëparshme ku përfshihej Këshillin e Sigurimit, pasi Rusia kishte bërë të ditur aty veton e saj.