Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka thirrur në bisedë ambasadorin serb në Tiranë, Sllobodan Vukçeviq dhe i ka kërkuar sqarime për një deklaratë të bërë nga zëvendëskryeministri, Aleksandar Vulin, në lidhje me një takim që ka zhvilluar kryeministri shqiptar, Edi Rama, në Greqi.
Numri dy i Qeverisë serbe reagoi pas takimit që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi me emigrantët shqiptarë në Athinë më 12 maj.
Vulini tha se “‘Shqipëria e Madhe’ mund të ndalet vetëm nga serbët dhe ‘Bota Serbe’, por edhe ju grekë të dashur, ju lutem mendojeni këtë”.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë e cilësoi deklaratën e Vulinit si “provokuese, në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit”.
Kjo ministri tha se Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe kjo është “në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë”.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme pret reflektim të menjëhershëm, në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura, të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian”, u tha në reagim.


























