Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ushtria amerikane disponon sasi të mëdha municionesh, duke hedhur poshtë raportimet e mediave për mungesë raketash si pasojë e konfliktit me Iranin.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se SHBA-ja ka “sasi të jashtëzakonshme municionesh”, veçanërisht të disa llojeve, ndërsa shtoi se prodhimi i tyre po vazhdon sipas nevojave.
Ai theksoi se kompanitë e industrisë së mbrojtjes po ndërtojnë numrin më të madh të fabrikave dhe impianteve në historinë e vendit, me qëllim forcimin e kapaciteteve ushtarake amerikane.
Trump reagoi ashpër edhe ndaj personave që, sipas tij, kanë nxjerrë informacione të klasifikuara lidhur me rezervat e raketave amerikane.
“Personat përgjegjës për këto deklarata tradhtare po identifikohen. Do të kërkohen dënime të gjata me burg”, shkroi presidenti amerikan.
Deklarata e Trump vjen pas raportimeve të disa mediave amerikane, të cilat pretenduan se rezervat e disa llojeve të raketave janë zvogëluar për shkak të operacioneve ushtarake të lidhura me konfliktin me Iranin.


























