Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që urgjentisht të fillojnë të zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, ndryshe siç thonë zyrtarët e BE-së Kosova dhe Serbia do ta dëmtojnë rrugën për anëtarësim në BE. Përfaqësuesit e partisë në pushtet Vetëvendosje thonë se Serbia nuk ka interesim për zbatimin e marrëveshjes. Kërkojnë nga BE-ja të merr masa ndaj Serbisë për shkelje të marrëveshjes.
Bashkimi Evropian ka vazhduar përpjekjet që t’i detyrojë Kosovën dhe Serbinë për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, duke e ndërlidhur me rrugën integruese për të dyja palët.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se qëndrimi i BE-së është i palëkundur se rruga e vetme për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbinë në Bashkimin Evropian është përmes zbatimit të marrëveshjes.
“Duhet urgjentisht të fillohet me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje dhe aneksit të saj. Progresi në këtë drejtim është i lidhur ngushtë me progresin në rrugën e anëtarësimit në BE të Kosovës dhe Serbisë”, tha Stano.
Por, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë se Serbia nuk e ka pranuar planin franko-gjermane në bazë të cilin Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në Ohër. Bashkimi Evropian u ka kërkuar zyrtarëve të Serbisë që të përmbahen nga këto deklarata që e vënë në dyshim marrëveshjen.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka kërkuar sanksione ndaj Serbisë si shkelëse e marrëveshjes bazë. Deputeti i partisë në pushtet Vetëvendosje, Driton Hyseni, tha se është e vështirë të ketë normalizim me Serbisë kur kjo e fundit nuk e njeh marrëveshjes e arritur në Bruksel dhe aneksin e saj në Ohër.
“Duke marr për bazë qëndrimet që ka Serbia për marrëveshjet në Bruksel sidomos asaj në Ohër për të pas një plan veprimi për zbatimin e marrëveshjes. Qëndrimi i fundit i kryeministrit serb se nuk e njeh marrëveshjen, unë mendoj se BE-ja duhet ta sqaroj së pari me Serbinë çështjen e të gjithë këtij procesi e sidomos të marrëveshjes së Ohrit. Mendoj se pa e qartësuar këtë pjesë nuk e di se si duhet të shkohet e të dialogohet me Serbinë në Bruksel. Me qasjen e saj Serbia po tregohet destruktive për normalizim të raporteve. Serbia në këtë kohë nuk është e interesuar të zbatojë marrëveshjen, por ka interesim të influencoj në veri të vendit”, tha Hyseni për rtv21.