Qëndrimet kundërshtuese të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndaj propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbisë, kanë krijuar shqetësim për partnerët perëndimorë të Kosovës.
Propozimi evropian synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, vlerëson se presioni i partnerëve perëndimorë, i cili deri vonë ka qenë ishte drejtuar kah Qeveria e Kosovës për çështjet që ndërlidhen me dialogun me Serbinë, tashmë do të orientohet kah partitë opozitare lidhur me propozimin e BE-së.
BE-ja tashmë ka konfirmuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar mbi planin e zbatimit të propozimit të BE-së për normalizim, shkruan REL.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten tha se pritjet e tij janë që të vazhdojnë përgatitjet për takimin e 18 marsit.
Një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë ka deklaruar për disa media në Kosovë se pikëpamjet e këtyre dy partive “nuk përputhen me mbështetjen e SHBA-së për propozimin”.
“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së”, thuhet në deklaratën e publikuar më 6 mars.
Një ditë më pas, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, duke folur për transmetuesin publik, Radio Kosova, ka thënë se pret që partitë opozitare të jenë konstruktive lidhur me planin e BE-së për dialogun dhe se ato duhet të tregojnë “përgjegjësi politike shtetërore”.
Dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, sërish kanë shprehur rezervat e tyre lidhur me këtë propozim.
PDK me rezerva ndaj marrëveshjes së prezantuar
Për të biseduar lidhur me zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori i Francës, Olivier Guerot, ka takuar më 8 mars kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Në një postim në Facebook, Krasniqi ka thënë se lidhur me procesin ia ka shprehur ambasadorit Guerot “rezervat që i kemi shfaqur edhe publikisht lidhur me marrëveshjen aktuale të prezantuar”, me fokus te mungesa e “njohjes së ndërsjellë si rezultat përfundimtar i procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.