Kanadidati për deputetë nga radhët e LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren në këto zgjedhje, ndërsa thotë se në LDK ka nisur ndryshimi që nuk e ndal më askush, përcjell Kosova Post.
Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, tha se rezultati i partisë së tij në këto zgjedhje ishte më i rëndi në histori, dhe se ky është një mesazh për reflektim.
“Të njëqind mijë votuesve tanë ju faleminderit. Fituesve të zgjedhjeve urime. Kosovës gëzuar ditëlindjen”, shkroi Abdixhiku.
Ai tha se rruga përpara s’është e lehtë, por këtë rrugë, LDK’ja ka për ta gjetur.
“Tani që rezultatet nga terreni më vijnë, s’kam se si të mos falenderojë sërish, për të tretën herë rradhazi e me të njëjtën madhësi, votuesit e mi. Numrin e bëjmë ne. Por kjo ka pak rëndësi. Fare madje. Rezultati për ekip, për LDK-në, pa befasi ishte i rëndë – më i rëndi në histori. Mesazhi ishte i qartë e i zëshëm, ai thërret për reflektim. Kush s’e dëgjon harrohet; dhe këtë s’mund ta kemi më alternativë”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se ndryshimi pas përgjegjësisë ka nisur dhe s’ka gjë që e ndalë atë tashmë.
“Rruga përpara s’është e lehtë, por këtë rrugë LDK ka për ta gjetë. Ajo do të jetë rrugë e drejtë, siç na takon për atë që përfaqësojmë. Pa improvizime më; me plot konsistencë. Ndryshimi pas përgjegjësisë ka nisur dhe s’ka gjë që e ndalë atë tashmë.”, ka shkruar Abdixhiku.