Xhudisti kosovar Akil Gjakova ka fituar medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Gjakova e ka siguruar medaljen pas një fitore bindëse ndaj xhudistit turk Bilal Ciloglu, të cilin e ka mposhtur me ippon, përkatësisht me mbërthim. Në luftën vendimtare për medaljen e bronztë, Gjakova tregoi përvojën dhe cilësinë e tij, duke e mposhtur me ippon turkun Bilal Ciloglu dhe duke siguruar vendin në podium.
Rrugëtimi i tij në garë ka nisur me fitore ndaj qipriotit Kyprianos Andreou në raundin e 16-të. Në një luftë të barabartë, Gjakova ka triumfuar në kohën shtesë, pasi ka realizuar një hedhje për yuko.
Në çerekfinale, xhudisti kosovar është përballur me francezin Maxime Gobert, por ka pësuar humbje me dy yuko. Pavarësisht përpjekjeve për t’u rikthyer në luftë, Gjakova nuk ka arritur ta përmbysë rezultatin dhe e ka vazhduar garën përmes repasazhit.
Në luftën e parë të repasazhit, Akili ka triumfuar ndaj portugezit Alexandre Bucur. Ai e ka fituar përballjen me ippon, pas një aksioni në kohën shtesë.
Më pas, në luftën e dytë të repasazhit, Gjakova është përballur me kroatin Robert Klaçar. Dy xhudistët kishin nga një yuko, por kroati është ndëshkuar me tri dënime, duke i dhënë fitoren xhudistit kosovar.


























