Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për media njofton se ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër dy të pandehurve M.P dhe Zh.Z, të nacionalitet serb, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale ‘Krimi i luftës kundër popullsisë civile’, transmeton KosovaPost.
Në komunikatë, thuhet se të pandehurit akuzohen se gjatë kohës së luftës në Kosovë kanë kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzore, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masive dhe spastrim etnik të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar në Komunën e Istogut.
Përveç kësaj, të pandehurit akuzohen për ngjarjet në familjet Salihaj, Imeraj, Lipa, Pepaj etj.
“Hetimet kanë zbuluar se gjatë periudhës kohore relevante për këtë aktakuzë, pati dy raste të dhunës seksuale ndaj viktimave të nacionalitet shqiptar. Gjithashtu, gjatë hetimeve u vërtetua se gjatë periudhës së luftës, në Komunën e Istogut, rreth 5 mijë shtëpi janë djegur, rreth 250 persona janë vrarë prej tyre 19 viktima fëmijë dhe shumë dëme tjera materiale”, thuhet në komunikatë.
Të pandehurit gjenden nën masën e paraburgimit sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.