Al-Hilal ka bërë një propozim të pazakontë për transferimin e sulmuesit argjentinas, Julián Álvarez, nga Atlético Madrid te Barcelona.
Sipas raportimeve të MarCasdemunt, klubi saudit ka kontaktuar si Barcelonën, ashtu edhe Álvarezin, me një skenar që do të mundësonte kalimin e tij në Camp Nou përmes një rruge të tërthortë.
Al-Hilal do ta blinte menjëherë Álvarezin nga Atlético Madrid për 120 milionë euro. Në marrëveshje do të përfshihej më pas një klauzolë speciale prej 130 milionë eurosh, e cila do t’i mundësonte Barcelonës ta transferonte argjentinasin.
Sipas këtij propozimi, Álvarez do të qëndronte te Al-Hilal vetëm për gjashtë muaj. Në janar, Barcelona do të aktivizonte klauzolën dhe do ta transferonte përfundimisht sulmuesin në Katalonjë.
Kjo marrëveshje do t’i shërbente edhe Al-Hilalit, i cili do të siguronte një prej sulmuesve më të mirë në botë për gjashtë muaj, ndërsa në të njëjtën kohë do të anashkalonte pengesën e krijuar nga Atlético Madrid, që nuk dëshiron të negociojë drejtpërdrejt me Barcelonën.
Nëse ky skenar do të realizohej, bëhet fjalë për një prej marrëveshjeve më të pazakonta të merkatos së futbollit.


























