Ambasada e Turqisë në Prishtinë ka organizuar një pritje me rastin e Ditës së Fitores dhe Ditës së Forcave të Armatosura Turke, transmeton Kosova Post.
Në ceremoninë e organizuar në mikpritjen e ambasadorit turk Çağrı Sakar në ambasadë, morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, ministri i Zhvillimit Rajonal dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka, deputetja e KDTP-së, Fidan Brina Jilta, deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetarë komunash, ambasadorë si dhe përfaqësues të institucioneve turke në vend.
Pas një minutë heshtjeje dhe intonimit të himneve kombëtare, në fjalimin e tij ambasadori turk, lexoi mesazhin e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me rastin e 30 Gushtit.
Duke folur për kontributin që Forcat e Armatosura Turke i kanë dhënë paqes së qëndrueshme në Turqi dhe botë, Sakar tha se: “Ushtarët tanë kontribuojnë për paqen në botë duke filluar nga Kosova e deri në Azerbajxhan, Bosnjë e Hercegovinë, Somali, Libi. Forcat e Armatosura Turke, që kontribuojnë që nga fillimi i KFOR-it, realizojnë në mënyrë konkrete përkushtimin tonë ndaj Kosovës, NATO-s dhe rajonit tonë. Gjithashtu, në kuadër të bashkëpunimit tonë bilateral, e mbështet ushtrinë e Kosovës”.
Sakar, ndër të tjerat foli edhe për marrëdhëniet e mira bilaterale mes Kosovës dhe Turqisë.
“Projektet e realizuara me praninë e ‘Mehmetçikëve’ (ushtarëve turq) këtu nuk kontribuojnë vetëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon, por edhe përforcojnë lidhjet e miqësisë dhe vëllazërisë mes dy vendeve. Do të vazhdojmë të përforcojmë marrëdhëniet tona në kuadër të bashkëpunimit që ‘Mehmetçikët’ si dhe përfaqësuesit e institucioneve turke në këtë vend kanë me institucionet e Kosovës. Me këto mendime, sërish i kujtoj me mirënjohje themeluesin e Republikës tonë, kryekomandantin e ofensivës së madhe, Gazi Mustafa Kemal Atatürk-un dhe bashkëluftëtarët e tij. Zoti i mëshiroftë të gjithë dëshmorët tanë që sakrifikuan jetën e tyre për të mbrojtur këtë vend. I uroj veteranëve tanë jetë të shëndetshme”, u shpreh ai.
Ceremonia e cila zgjati rreth 1 orë, përfundoi me një koktej për mysafirët./AA