Në Kosovë sot është ditë zie në nderim të jetës dhe veprës së ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright. Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara, falënderoi popullin e Kosovë që vazhdojnë ta nderojnë dhe ruajnë kujtimin për zonjën Albright, transmeton Kosova Post.
Hovenier, përmes një postimi në Facebook, tha se lidershipi i Albright shpëtoi jetë dhe vendosi siguri dhe prosperitet për brezat e ardhshëm.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të nderuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shpallur ditën e sotme ditë zie për nder të Madeleine Albright, udhëheqja e së cilës shpëtoi jetë dhe siguroi siguri dhe prosperitet për brezat e ardhshëm. Faleminderit që e keni njohur Madeleine sot dhe vazhdoni të nderoni kujtimin e saj duke ndërtuar një demokraci të begatë, multietnike”, ka thënë Hovenier.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur të premten, 25 mars, ditë zie, si shenjë nderimi për ish-Sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë më 23 mars.
Madeleine Albright ka qenë gruaja e parë e zgjedhur në pozitën e Sekretares amerikane të Shtetit më 1997.
Ajo ka shërbyer në këtë pozitë deri më vitin 2001, nën administratën e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.
Albright ka qenë Sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.