Festa e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, nuk i bashkoi presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, në ceremoninë e cila është mbajtur në Forcat e Sigurisë së Kosovës. Forcat e Sigurisë së Kosovës u detyruan të mbajnë dy ceremoni brenda ditës, në njërën pritën kryeministrin Kurti me kryeparlamentaren Osmani, e disa orë më vonë ata u rreshtuan për komandantin suprem, Hashim Thaçi.
Dy ceremoni të tilla nuk do të duhej të mbaheshin, konsiderojnë analistët politikë.
Analisti Ramush Tahiri, duke komentuar festën e pavarësisë dhe dy ceremonitë në FSK, tha se nuk ka qenë e nevojshme të ndodhë një gjë e tillë, duke shtuar më tej se Kurti dhe Osmani kanë mundur ta presin Thaçin.
“Nuk e di se si ka qenë agjenda e presidentit Thaçi, mirëpo nëse ai nuk e ka mbërritur në kohë ceremoninë në FSK-së, pala tjetër ka mundur ta shtyjë agjendën dhe ta presin”.