Duda Balje dhe Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane kanë dorëzuar ankesë në Supreme për anulimin e votave edhe në disa komuna përveç atyre që janë anuluar.
Balje ka thënë se janë të kënaqur me vendimin e djeshëm të PZAP-së, porse presin që edhe ankesa që kanë dorëzuar sot të ketë të njëjtën përgjigje.
“Ne dje kemi marrë vendimin e PZAP-së dhe unë si përfaqësuese e boshnjakëve jam e kënaqur. Kemi pasur dy pika të paqarta. Ne e kemi bërë një analizë dhe kemi paraqitur si dëshmi”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se shteti i Kosovës duet të mbrojë të drejtat e komuniteteve.
Ndërkaq Berisha ka thënë se procesit do t’i shkojnë deri në fund. Ai ka shtuar se vendimi i PZAP-së është meritor.
“PZAP ka marrë vendim për disa komuna dhe ankesa ka qenë për disa. Për 5 komuna ka marrë vendim meritor, ndërkaq për disa të tjera jo. Sot kemi ardh edhe për tri komuna tjera, ndër to është edhe Graçanica”, ka thënë ai.
Berisha ka thënë se pret që Supremja të ketë vendim meritor edhe për këto komuna.
“Unë mendoj që si dukuri duhet të anulohet në tërësi. Ne e kemi ruajtur sovranitetin e Kosovës, e kemi parandaluar një të keqe të madhe dhe e kemi parandaluar që si dukuri të ndodhë përsëri. Egjiptianët janë dëmtuar me një mandat, edhe me vendimin e djeshëm ende nuk do të jem pjesë e Kuvendit ndërkaq nëse pranohet kjo ankesë unë do të jem në Kuvend. Unë do të doja të largohesha nga votuesit por jo nga Serbia”, ka thënë ai, transmeton kosovapress. Berisha të hënën përmes një komunikate ka thënë se kërkojnë anulimin e votave edhe në pesë komuna.
Ankesë në Supreme ka dorëzuar edhe Hoxhiq, ndërkaq anulimin e votave e ka quajtur vendim skandaloz nga PZAP-ja.