Ministri në detyrë i Arsimit, Hajrulla Çeku, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të institucioneve arsimore, sindikatave, prindërve dhe studentëve, ku është diskutuar për reformat dhe sfidat në sektorin e arsimit.
Çeku ka thënë se reforma në arsim duhet të përshpejtojë ritmin, ndërsa si parakusht ka veçuar bashkëpunimin mes të gjithë akterëve.
Sipas tij, Strategjia e re e Arsimit 2035+ është duke u hartuar në bashkëpunim me përfaqësuesit e sektorit, me synimin për të krijuar një sistem arsimor cilësor, nga edukimi në fëmijërinë e hershme deri në nivelin universitar.
Në takim janë diskutuar edhe çështje aktuale, përfshirë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, kurrikulën e edukimit në fëmijërinë e hershme, rishikimin e teksteve shkollore dhe profilizimin e universiteteve.
Çeku ka bërë të ditur se takimet në këtë format do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Kolegjiumit të Drejtorëve Komunalë të Arsimit, SBASHK-ut, Konferencës së Rektorëve të Kosovës, Këshillit të Prindërve të Kosovës, Kolegjiumit të Drejtorëve të Institucioneve Parashkollore, Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës dhe Asamblesë së Fëmijëve të Kryeqytetit.
“Synimet tona për arsim cilësor i arrijmë më lehtë dhe më shpejt kur jemi të bashkuar”, ka deklaruar Çeku


























