Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës, ka marrë pjesë sot në takimin e parë të grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë, transmeton Kosova Post.
Sipas tij, sundimi i ligjit dhe drejtësia efikase, janë faktorë të domosdoshëm dhe shtylla të një shteti funksional.
“Sistemi ynë i drejtësisë është i brishtë në mungesë të rezultateve dhe llogaridhënës e me drejtësi selektive të pabarabartë. Mungesa e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor e prokurorial, vazhdon ta karakterizoj sistemin e drejtësisë”, tha ndër të tjera ai.
“Diskutimet për nevojën e reformave në drejtësi janë prapa nesh, tashmë nuk kemi dilemë se a duhet të ndodhin a po jo. Na duhen gjyqtarë të drejtë e efikas, dhe prokurorë me integritet e energjik. Përgjigja ndaj defekteve e dështimeve të tilla për drejtësinë është Vettingu”, shtoi kryeministri, duke e vënë theksin tek nevojat e reformave në drejtësi.
Lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe nepotizmit, ka qenë ndër premtimet më të përsëritura elektorale nga Lëvizja Vetëvendosje. Në këtë kuadër, Vettingu shihet si një mekanizëm i domosdoshëm, ndonëse procesi për jetësimin e tij, ende duket larg realizimit./KosovaPost/