Richard Grenell, ish i ngarkuar me punë për çështjen e dialogut Kosovë – Serbi nga administrata amerikane, ka nxitur reagime pas një postimi në llogarinë e tij në Twitter, me anë të të cilit ua uroi serbëve festën e Vidovdanit, shkruan Kosova Post.
Një ndër personalitetet që reagoi menjëherë dhe në mënyrë të ashpër, ishte Vlora Çitaku, ish ambasadore e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
“Nuk ishte betejë e serbëve, ishte një ushtri e Ballkanit që luftoi kundër pushtuesit osman. Kjo betejë u bë miti themelor që vazhdon të ushqejë nacionalizmin serb që nga shekulli i 19-të duke na mbajtur të gjithëve peng”, shkroi Vlora Çitaku, duke ia kujtuar këtë Grenellit.
Kjo i ka mjaftuar këtij të fundit, për të reaguar përmes një postimi, ku thotë:
“Ju shfaqeni shumë ofenduese. Duhet të jetë e mundimshme përpjekja për gjetjen e një inati në gjithçka. Njerëzit duan punë dhe zgjidhje, zgjateni dorën”, ka shkruar Grenell.
Por ish ambasadorja, nuk e ka lënë me kaq, ajo ia ka kthyer menjëherë me një tjetër postim:
“Edhe unë dua punë dhe zgjidhje! Por deklarata më poshtë ishte thjesht historikisht e pasaktë! Paqe!”
Festa e Vidovdanit është përvetësuar nga nacionalizmi serb, prandaj shumë historianë konsiderojnë se themelet e pretendimeve për të drejtën Serbisë ndaj Kosovës, janë te kjo datë./KosovaPost/