Ideja për ndarjen e Kosovës, apo ndryshimin e kufijve ose ndërrimin e territorit me Serbinë është ide e kamotshme.
Mirëpo, me këtë ishte pajtuar ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Sipas analistit politik Gani Qarrit, një ide e tij e përkrahur nga Thaçi, kishte filluar qysh nga viti 2018.
Ai thotë se, në qeverisjen e PAN-it e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ishte paguar mbi 168 mijë euro nga ish ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha për një firmë franceze për të promovuar ndarjen e Kosovës.
“Nga 25 korriku i vitit 2018 dita kur kuislingu Hashim Thaçi, në forumin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, mbajtur në Alpbach të Austrisë doli me kërkesën publike drejtuar ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës, dhe sipas hulumtimit të organizatës BIRN, me urdhër të tij, në anën tjetër Dhurata Hoxha ish këshilltare e Thaçit dhe ministre e PDK-së për Integrime Evropiane, në qeverinë e PAN-it, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, kishte angazhuar edhe një firmë të fuqishme franceze, si ajo “Majorelle PR & Events” duke i paguar asaj mbi 168 mijë euro para të thata të taksapaguesve të varfër të Kosovës, për të promovuar ndarjen e Kosovës kudo në botë, nga atëherë nuk kanë pushuar më asnjëherë përpjekjet për ndarje dhe gllabërimin e Veriut të vendit tonë, nga Serbia”, thotë Qarri për “Bota sot”.
Ai tregon se Thaçin e Ramën i kishte akuzuar ish-kryeministri Haradinaj për jetësimin e ndarjes së Kosovës.
“Për aq më tepër, spekulimet për marrëveshje të fshehta dhe përpjekjet publike për të plotësuar orekset e Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit, kanë qenë të pareshtura që nga Hashim Thaçi e deri tek Edvin Kristaq Rama, i cili jo vetëm se luante më së shpeshti me harta ku Kosova paraqitej si territor i Serbisë, por edhe Ramush Haradinaj e pati akuzuar publikisht se kishte marrë premtime për shuma miliardëshe nga Vuçiqi, për jetësimin e ndarjes së Kosovës”, shton ai.
Ai thekson se, tashmë pas shkuarjes në Hagë të Thaçit e Veselit, Vuçiqit i ka mbetur vetëm Edi Rama, për të cilin thotë se se shërbimet serbo-ruse fabrikuan një “non-paper”.
“Ndaj me burgosjen e miqve të Vuçiqit nga Gjykata Speciale e Hagës dhe shkuarja e bashkëpunëtorëve të tij nga udhëheqja shtetërore e Kosovës, Vuçiq duket se fillimisht angazhoi argatin e vetëm që tanimë i kishte mbetur në mesin shqiptarëve, Edi Ramën që në bashkëpunim me shërbimet e fshehta serbo-ruse, ta fabrikonin një “non-paper” e publikonin në Bruksel, për ndarje të reja dhe krijimin e Serbisë së Madhe duke marrë ajo mbi gjysmën e Bosnjës e bashkuar atë Serbisë, ndërsa Veriun e Kosovës, në vend të gllabërimit të menjëhershëm, ta shpallnin fillimisht si territor autonom, për ta ndarë më vonë, pasi të kenë mbaruar punë me shkatërrimin përfundimtar të Bosnjës e Hercegovinës”, thotë ai.
Por sipas tij, hasja në reagime të forta të BE-së dhe SHBA-ve, si dhe paralajmërimi për fillimin e punës në Kosovë për përgatitjen e padisë për gjenocid e krime lufte, kundër Serbisë okupatore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë duket se detyroi Serbinë që me miqtë e saj brenda vet BE-së, si Josep Borell dhe Mirosllav Lajçak, ta përpiloi tanimë edhe një “non-paper”, tjetër, si strategji për kundërvënie nismës së Albin Kurtit dhe Qeverisë së re të Kosovës, për ngritjen e padisë ndërkombëtare, kundër Serbisë, për gjenocid dhe krime lufte ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë.
“Krime dhe gjenocid të cilat ndodhën, mu në kohën kur edhe vet krimineli Vuçiq ishte ministër i informatave në qeverinë pushtuese të kasapit Sllobodan Millosheviq, kështu që vetëm ngritja e padisë dhe ulja e Serbisë në bankën e të akuzuarave, para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, edhe nëse ajo nuk do të përfundonte 100 %, në favor të Kosovës, do të ishte një dëm i papërshkrueshëm për Vuçiqin dhe Serbinë, kurse një arritje e madhe dhe historike për Kosovën pas bllokimit të qëllimshëm mbi 21 vjeçar të saj,nga kuislingu Hashim Thaçi dhe qeveritë e inkriminuara, që sunduan mbi 12-13 vite arbitrarisht këtë vend. Dhe sikur të mos mjaftonin manipulimet e deritanishme me “non-paper”, në një diskutim të zhvilluar nga krerët e diplomacisë së Bashkimit Evropian, me 10 maj, në Bruksel mbi angazhimin politik të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor për forcimin e sigurisë dhe partneritet në përballjen e sfidave globale”, vet përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell, paralajmëroi para ministrave, paraqitjen edhe të një “non-paper” të ri, qëllimi i të cilit, sipas Borellit është anëtarësimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në BE, tani edhe me “non-paper”!?”, thotë Qarri.