Një familje tetë anëtarëshe, e me fëmijë të vegjël, nga fshati Verboc i Drenasit, ka mbetur, pa kulm mbi kokë, në gërmadhat e shtëpisë së djegur. E gjithë familja gjatë ditës po qëndron në oborrin e shtëpisë, pavarësisht motit të lig që po mbretëron.
Familjes Gllareva, nga fshati Vërboc i komunës së Drenasit, para një jave iu dogj shtëpia.
Shtëpia e Mustafë Gllarevës në Vërboc të Drenasit, tashmë është bërë shkrumb e hi Ai së bashku me anëtarët e tjerë të familjes detyrohet të qëndroj tek të afërmit, në këto ditë të ftohta dimri.
Kryefamiljari Gllareva, punon në ndërtimtari e në këtë periudhë e ka të vështirë të gjeje punë.
“Po gjendemi, qysh po mundemi, tek të afërmit, një natë diku, një natë diku tjetër, për gazep”, thotë Gllareva, i cili punon kohë pas kohe si ndërtimtar.
Kryefamiljari i ka pesë fëmijë, për të cilët thotë se vetëm dy prej tyre këto ditë po e ndjekin mësimin.
Ai ka marrë si ndihmë gjëra ushqimore. Pesë fëmijët kanë mbetur pa veshmbathje e pa libra. Më e moshuara e shtëpisë ka telashe shëndetësore, derisa lutet që dikush t’iu del në ndihmë.
“Më keq nuk di se çka, si me e përpi këtë zjarr. Nuk mund të jetoj te çikat… Po hjekin fëmijët, qeë një javë s’kanë shkua në shkollë”, ankohet ajo.
Familja Gllareva po kërkon ndihmë. “Presë prej Komune të më gjejnë strehim derisa të bëjë zgjidhje për ndërtim të shtëpisë”, thotë kryefamiljari.
Në Komuna e Drenasit, thonë se kanë pranuar kërkesën nga i dëmtuari dhe se Komisioni për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë do ta bëjë vlerësimin e dëmit, gjë që ende s’ka përfunduar.