FC Drenica e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën në UEFA Futsal Champions League, duke regjistruar edhe fitoren e dytë në raundin paraeliminator.
Skuadra kuqezi triumfoi bindshëm ndaj klubit nga San Marino, Murata, me rezultat 11-1, duke vazhduar paraqitjet e shkëlqyera në këtë turne.
Drenica e kishte nisur aventurën me fitore të thellë edhe në ndeshjen e parë, ku mposhti Sakaryan, ndërsa tash ka dy fitore në dy ndeshje.
Në fitoren ndaj Muratës, golashënues për Drenicën ishin Mërgim Dervishaj, Drilon Haxhijaj dhe Diar Deliu që shënuan nga dy herë, ndërsa nga një gol shtuan Jakup Ramadan, Lirigzon Xhinovci, Visar Aliu dhe Sebastian Sanchez, ndërsa një prej golave, ishte autogol.
Tashmë, Drenicës i ka mbetur edhe ndeshja e fundit e raundit paraeliminator, ndaj Ujpest, e cila zhvillohet pas dy ditësh.
Me dy fitore në dy ndeshje dhe një golaverazh impresiv, Drenica synon ta mbyllë këtë fazë me rezultat pozitiv dhe të vazhdojë rrugëtimin evropian. /Telegrafi/


























