Në pritje të rezultateve të takimeve nga Brukseli është kompania që do të inkasojë energjinë elektrike në veri të vendit “Elektrosever”. Ajo nuk ka filluar ende punën në terren, ndonëse nuk e ka ndonjë pengesë teknike.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë deklaruar se Udhërrëfyesi për energjinë, është përmbushur pjesërisht, por ka dështuar të zbatohet për periudhën 100-ditëshe, ashtu siç ishin pajtuar palët negociuese në Bruksel.
Rrymë kanë, por banorët e katër komunave të pjesës veriore vazhdojnë të mos paguajnë për energjinë elektrike.
Kompania serbe “Elektrosever”, nuk ka filluar ende me faturimin. Zyrtarë të kësaj kompanie nuk kanë pranuar të përgjigjen lidhur me këtë çështje. Mediumi publik ka marrë vesh se nga kjo kompani janë në pritje të një përgjigje nga Beogradi pasi sipas tyre “gjithçka varet nga takimet në Bruksel në kuadër të dialogut”.