Estonia dhe Letonia po planifikojnë një prokurim të përbashkët të sistemeve gjermane të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur hapësirën ajrore të këtyre dy anëtarëve të NATO-s, njoftuan ministritë e mbrojtjes të dy vendeve, përcjell Kosova Post.
Sipas marrëveshjes së përkohshme, dërgesat e sistemit të mbrojtjes ajrore me rreze të mesme IRIS-T SLM, i prodhuar nga prodhuesi gjerman i armëve Diehl Defense, mund të fillojnë në vitin 2025, njofton Kosova Post, duke cituar AP.
Nëse zbatohet, kjo do të ishte marrëveshja më e madhe e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes midis fqinjëve balltikë në kufi me Rusinë.
Vlera e marrëveshjes dhe informacioni i detajuar mbi numrin e sistemeve të planifikuara për t’u prokuruar nuk janë bërë të ditura, pasi negociatat me furnizuesin janë ende në vazhdim, thanë Ministritë e Mbrojtjes të Estonisë dhe Letonisë.
Ministri estonez i Mbrojtjes Hanno Pevkur e cilësoi marrëveshjen si një “projekt të përbashkët me përmasa historike” për bashkëpunimin e mbrojtjes të dy vendeve, duke theksuar se është marrëveshja “më e madhe deri tani” mes Talinit dhe Rigës.
Negociatat mund të përfundojnë në fund të verës
Ai shtoi se negociatat mund të përfundojnë gjatë verës.
Ministrja letoneze e Mbrojtjes Inara Murniece tha në një deklaratë se “sistemi i përbashkët i mbrojtjes ajrore me rreze të mesme do të sigurojë gjithashtu qiejt e Letonisë dhe Estonisë” dhe do të sigurojë mbrojtjen më të madhe të mundshme për qytetarët e të dy vendeve, infrastrukturën civile dhe ushtarake.
Sistemi i mbrojtjes kundërajrore të Gjermanisë, i përbërë nga lëshues të montuar në kamion, raketa dhe një mjet komandues special, ishte projektuar për të mbrojtur qytetet, ushtrinë dhe popullsinë civile nga sulmet ajrore.