Tre zyrtarë nga Maqedonia e Veriut, deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, pretendojnë se sot janë përballur me ndalesë për hyrje në Shqipëri.
Burime nga pika kufitare e Qafë-Thanës nga pala shqiptare bënë me dije për Euronews Albania se nuk ka pasur asnjë incident apo ndalim për të hyrë drejt tokës shqiptare për tre zyrtarët nga Maqedonia e Veriut.
Zyrtarët e kufirit dhe migracionit në juglindje të Shqipërisë shtojnë se të tre zyrtarët kanë qenë duke udhëtuar me një shtetas të katërt, i cili paraqiste probleme me pasaportën dhe nuk mund të hynte drejt Republikës së Shqipërisë.
Të tre zyrtarët e tjerë mund të kalonin lirshëm por kanë preferuar të kthehen dhe mos kalojnë kufirin, thuhet në reagim.


























