Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur krim mizor e brutal, sulmin e sotëm në Deçan.
Ai deklaroi se është siguruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla që do të punohet në zbardhjen e rastit ku u vranë tre persona gjatë të sulmit të një autobusi në Gllogjan.
“Mora lajmin tronditës për këtë krim brutal e mizor që i la tre qytetarë të vdekur. Kam kërkuar nga organet e rendit që të bëjnë maksimumin dhe sa më shpejt dorasin ta sjellin para drejtësisë. Aq e trishtueshme, tronditëse, pikëlluese, është tragjedia e sotme në Deçan sa disi më ka lënë pa fjalë, por nuk guxon të na lë pa vepra. Dhe Policia e Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla më kanë siguruar që po bëjnë gjithçka që është në kapacitetet e tyre në mënyrë që edhe të zbardhet rasti sa më parë edhe të mundësohet pa vonesa drejtësia”, ka deklaruar Kurti për Kosova Press.
Kurti theksoi se duhet të pritet për motivet e dorasit, në mënyrë që të merren masat për parandalimin e rasteve të tilla.
“Duhet të presim për motivet e dorasit dhe për hetimet preliminare në mënyrë që të flasim se çka duhet të bëjmë për këso llojesh që edhe t’i parandalojmë por edhe hetojmë e ndëshkojmë”, shton Kurti për KosovaPress