Gazeta izraelite “Haaretz”, gazeta më e vjetër në Izrael, një nga më të shiturat dhe padyshim gazeta me më ndikim dhe më e besueshmja në Izrael, në kohën kur luftimet po vazhdojnë atje, ka nxjerrur një editorial me titull “Netanyahu mban përgjegjësi(në) për këtë luftë Izrael-Gaza”.
Pra, në mes të luftës, gazeta izraelite po e bën përgjegjës për luftën kryeministrin izraelit, përkundër se luftimet i nisën palestinezët.
Nuk po e ndaj këtë shembull për t’i dhënë të drejtë, apo jo gazetës, ose njërës palë e palës tjetër, sepse është çështje super e komplikuar që s’ia jap të drejtën vetës t’i mbajë leksion dikujt, përkundër se normalisht se e kam një qëndrim.
Por, po e ndaj për t’iu dhënë një shembull kokëtulëve se si edhe në situata të tilla gazetarët e mediat dalin me qëndrime, jo se i paguan armiku, por se ashtu besojnë.
Po e ndaj si shembull që tregon se kritika ndaj pushtetit nuk është kritikë ndaj shtetit, madje e kundërta është e vërtetë.
Paramendojeni gjasat që kjo të ndodhë në Kosovë. Do konsiderohej tragjedi kombëtare. Disa të padijshëm, e shumica të paguximshëm, heshtin e nuk flasin edhe kur kanë bindje të plotë për një çështje a një çështje tjetër.
Puna e mediave nuk është të shndërrohen në gazeta zyrtare të qeverisë, sic një pjesë e mediave në Kosovë po bëjnë, sidomos nga 24 shtatori e tutje.
Tekstin e perpunoi: Lirim Mehmetaj