Sulmuesi kosovar i Mallorca-s, Vedat Muriqi duket se gjatë verës që po vjen do të rikthehet në klubin e madh turk, Fenerbahçe.
Fenerbahçe qysh tash ka nisur përgatitjet për sezonin e ardhshëm, duke vendosur në fokus rikthimin e sulmuesit kosovar në Stamboll.
Sipas “Sabah”, Fenerbahçe tashmë ka arritur marrëveshje personale me 30-vjeçarin, i cili është i hapur për një rikthim te ish-skuadra ku luajti gjatë sezonit 2019-2020.
Aktualisht pjesë e RCD Mallorca, Muriqi po kalon një formë të jashtëzakonshme në La Liga. Ai ka realizuar 21 gola këtë sezon dhe renditet i dyti në garën për “Pichichi”, vetëm pas Kylian Mbappe të Real Madrid.
Me 30 paraqitje në të gjitha garat, prej të cilave 29 si titullar, Muriqi po konfirmon statusin si një nga sulmuesit më në formë në Evropë.
Fenerbahçe pritet të hapë së shpejti bisedimet me klubin spanjoll për të finalizuar transferimin, ndërsa RCD Mallorca besohet se do të kërkojë rreth 10 milionë euro për kartonin e lojtarit.
Rikthimi i mundshëm i Muriqit shihet si një prioritet për klubin turk, që synon të ndërtojë një skuadër më konkurruese për sezonin e ri.


























