Gërvalla: Duke sulmuar regjimin gje*nocidal serb, NATO po mbronte njerëzimin

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla,ka kujtuar 24 marsin e vitit 1999, kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë, përcjell KosovaPost.

Gërvalla, në një postim në Facebook, u shpreh se aleanca perëndimore po luftonte regjimin serb, për të mbrojtur popullin e Kosovës.

“Sot mbushen 25 vjet nga 24 marsi 1999, kur aleanca më e madhe ushtarake e të gjitha kohërave, NATO, filloi sulmet ajrore kundër caqeve serbe për të ndaluar më në fund dhunën sistematike serbe, brutalitetin, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin ndaj një populli të pafajshëm. Për herë të parë që nga themelimi i saj, NATO po vepronte me forcë dhe po e bënte këtë për të mbrojtur jetën e njerëzve të pafajshëm, për të ruajtur paqen botërore dhe për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga shfarosja”, shkruan Gërvalla.

Në zemër të Evropës, vazhdon tutje ministrja, aleanca perëndimore po sulmonte regjimin serb që kishte një forcë ushtarake, paramilitare e policore të organizuar e të sofistikuar, por barbare për nga etika duke mbrojtur kështu edhe të drejtat e njeriut, lirinë e demokracinë, thjesht qytetërimin. Duke sulmuar regjimin gjenocidal serb, NATO po mbronte njerëzimin.

“Po, si e gjetën sulmet ajrore të NATO-s shqiptarin e Kosovës? Kur u dëgjuan shpërthimet e para mbi makinerinë e mbi objektet serbe, shqiptari i Kosovës tashmë kishte mbushur një shekull që po luftonte kundër pushtimit, kolonizimit, robërisë, urisë, dhunës sistematike, shpërnguljes, dehumanizimit e përbuzjes. Shqiptari i Kosovës kishte qëndruar me forcat e veta kundër elaborateve e planeve të sofistikuara për pastrim etnik e deportim masiv e të plotë.

Me një fjalë, kur zogjtë e hekurt të aleancës së NATO-s po niseshin drejt makinerisë vrastare serbe, shqiptarët e Kosovës po mbushnin një shekull që kishin derdhur djersën, lotin e gjakun për të jetuar të qetë e me dinjitet në tokën e tyre, Kosovën. Ata kishin dëshmuar vendosmëri, qëndresë, durim, përpjekje mbinatyrore e këmbëngulëse, gjakim për paqe, por edhe luftë kundër robërisë e për mbijetesë”, shkruan tutje Gërvalla.

Të vrarë, të masakruar, të dhunuar e të mjeruar, kur po shihnin lart në qiell, në mbrëmjen e datës 24 mars 1999, ata mund të ishin të pafuqi, por nuk po kërkonin vetëm mëshirë. Pasi, me gjakun e me lotin e vet, kishin zgjuar ndërgjegjen njerëzore, ata po kërkonin shpëtim e çlirim, po kërkonin drejtësi, shton ministrja.

“Më në fund, pas një shekulli shqiptarët e harruar të Kosovës, si bekim nga qielli për qëndresën e vendosmërinë e tyre kundër barbarëve e në ruajtje të jetës, vlerave të qytetërimit të vet e të atij perëndimor, po shihnin t’iu vijë shpëtimi, shpagimi e sidomos drejtësia. Kishte triumfuar drejtësia e një populli të vogël e deri atëherë të pambrojtur kundër përpjekjeve barbare për ta dehumanizuar, për ta vrarë, për ta deportuar, për ta zhbërë atë.

Bashkë me bombat e projektilët superprecizë ndaj shtypësve serbë, NATO po kthente drejtësinë e munguar, po shpëtonte shqiptarët e Kosovës, po e sillte lirinë e demokracinë”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika