Alain Giresse mendon se ka ardhur momenti që Kosova të nisë ciklin e fitoreve dhe këtë duhet ta bëjë që këtë të martë ndaj Andorrës. Në ndeshjen e dytë eleminatore të Euro 2024 e vlefshme për grupin I, tekniku ish-nënkampion Europe me Francën e Platini dikur, thekson:
“Vijmë nga një rezultat pozitiv në Izrael, ndërsa këtë seri pozitive synojmë ta vazhdojmë me fitore ndaj Andorrës. Rezultatin me Izraelin mund ta quaj pozitiv edhe pse mund të kishim marrë edhe fitore. Ekipi bëri një paraqitje të mirë. Formacionin nuk mund ta tregoj, pasi nuk dua që kundërshtari ta marrë vesh kurrsesi sesi do luajmë. Nuk do ta zbuloj kush do të luajë, madje as lojtarët nuk e dinë.
Nuk duhet neglizhuar Andorra dhe nuk duhet konsideruar e dobët. Ka pak rëndësi kë kemi përballë, i rëndësishëm është kompeticioni në të cilin luajmë, ndaj duhet treguar seriozitet. Jo vetëm sa i përket mesfushës në përgjithësi ne po punojmë për të sjellë lojtarë të rinj, pastaj mos të harrojmë se ka lojtarë me dy shtetësi që hezitojnë”.